Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, pasi që, sipas tyre, kjo do të çonte në kolaps financat e shtetit, por kjo parti i ka bërë thirrje Presidentes të jetë në detyrën e saj kushtetuese e, sipas tyre, të garantojë që ligji të kthehet në Kuvend e t’i plotësojë kriteret e duhura.
“Duke marrë parasysh që Ligji për Buxhetin është i rëndësishëm për financat e shtetit, ne si Grup Parlamentar nuk do ta dërgojmë në Kushtetuese, por i bëjmë thirrje Presidentes që të jetë në detyrën e vetë kushtetuese e të garantojë që ligji të kthehet në Kuvend. Kjo do të garantonte një funksionalitet dhe vendi do të kishte buxhet, përndryshe kur të shkojmë në zgjedhje pa buxhet është jashtëzakonisht e rrezikshme. Shkuarja në zgjedhje nën hipotezën që ne e dërgojmë Projektligjin për Ndarjet Buxhetore në Gjykatën Kushtetuese, ai do të bllokohej të paktën për 6 muaj dhe kjo do të thoshte kolaps për financat e shtetit. Nuk jemi të interesuar të bëjmë kolaps në financat e shtetit”, tha Arben Gashi, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së.