Gazetari dhe eksperti francez i sigurisë, Jean-Dominique Merchet, deklaroi se në prag të zgjedhjeve presidenciale, presidenti Emmanuel Macron mori një goditje të rëndë me vendimin e Rusisë për Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Merchet në Twitter komentoi vendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, për të njohur zyrtarisht qeveritë separatiste në Ukrainën lindore dhe për të dërguar trupa atje.
Duke vlerësuar se kjo lëvizje e Rusisë tani për tani nuk do të thotë luftë dhe se është një veprim më i lehtë në krahasim me aneksimin e Krimesë në vitin 2014, Merchet deklaroi se situata ka gjasa të përkeqësohet edhe më shumë dhe të kthehet në luftë.
“Perëndimi nuk do të rrezikojë për Ukrainën”
“Ukraina është vetëm. Perëndimi nuk do të rrezikojë për të. Do të ketë sanksione, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë”, tha Merchet.
Vendimi i Putinit për Ukrainën ishte “një goditje e rëndë për Macron-in pak para se të zyrtarizonte kandidaturën e tij”. Duke komentuar këtë, Merchet theksoi se përpjekjet “e vlefshme” të presidentit francez për Ukrainën ishin të kota njëjtë si çështja e Libanit, nëndetëset australiane dhe tërheqja nga Mali.
Merchet tha se në Francë nuk ka marrëveshje politike në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë dhe se ka rryma të forta pro-ruse tek djathtistët dhe majtistët.