Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se Agim Ramadani ishte një strateg i shkëlqyer ushtarak dhe një lider me vizion të qartë për një Kosovë të lirë dhe demokratike.
Kështu ajo u deklarua në Akademinë Përkujtimore të organizuar nga Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih.
“Ai nuk e humbi kurrë besimin tek liria dhe drejtësia. Lufta e tij në Betejën e Koshares do të mbetet përgjithmonë një simbol i lavdisë dhe trimërisë në historinë tonë kombëtare”, ka thënë Gërvalla.
Nga ana tjetër, bashkëluftëtarët e heroit Agim Ramadani, ndanë kujtime nga lufta e tyre çlirimtare duke e cilësuar heroin si një njeri me vlera të rralla njerëzore dhe i vendosur që të jetësojë amanetin e dëshmorëve për çlirimin e Kosovës.
Akademia përkujtimore u shoqërua me poezi të Agim Ramadanit, të lexuara dhe shoqëruara me pika të mrekullueshme muzikore nga këngëtarja shqiptare me reputacion të jashtëzakonshëm në Zvicër, Elina Duni, si dhe instrumentist, Elmir Berisha./kk