Dhjetë kisha janë vandalizuar në Alberta të Kanadasë. Policia tha se këto sulme janë të lidhura me zemërimin ndaj padrejtësive historike kundër popullit indogjen.
Hetuesit në këtë provincë thanë se ngjyrë portokalli dhe e kuqe është vendosur në kishat e qytetit Calgary. Kryeministri rajonal i Albertas tha se këto sulme janë të tmerrshme.
Sulmet erdhën pas gjetjes së qindra varreve pa shenja përreth objekteve që dikur shërbenin si shkolla me konvikte e që drejtoheshin nga kishat. Fëmijët indogjenë ishin të detyruar që të shkonin në këto shkolla.
Gjetja e varreve nxiti thirrje që të anulohen manifestimet për festën kombëtare, Ditën e Kanadasë, që shënohet më 1 korrik, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Policia lokale tha se incidentet ndodhën mes natës së mërkurës dhe mëngjesit të së enjtes dhe se objektet e vandalizuara janë të gjitha të besimit katolik.
Autoritetet thanë se në njërën nga kishat ishte thyer edhe një dritare me qëllim që ngjyra të hidhej edhe brenda objektit.
Shkollat obligative, të themeluara nga qeveria e të udhëhequra nga grupet fetare, funksionuan në Kanada në shekullin XIX deri në fund të shekullit të kaluar. Ato kishin për qëllim që të asimilohet rinia e popullit indogjen.