Një 17-vjeçar është gjetur pa shenja jete sot në rrugën Landovicë–Gjonaj, në Prizren.
I mituri kishte dalë mbrëmë nga shtëpia dhe nuk ishte lajmëruar më, ndërsa sot ishte raportuar si i zhdukur.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka treguar se dyshohet që viktima ka humbur kontrollin mbi motoçikletën që po drejtonte.
Ai tha se disa qytetarë që po punonin në ara e vunë re personin të shtrirë pranë një muri ku po ndërtohej një shtëpi, rreth 7–8 metra larg rrugës, dhe që nuk shfaqte shenja jete.
“Menjëherë pas marrjes së informatës, njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës kanë dalë në vendngjarje dhe kanë filluar hetimet fillestare. Nga veprimet hetimore është konstatuar se viktima është i mituri V.N. (i lindur më 15.08.2008), nga lagjja Arbane e Prizrenit, i cili që nga mbrëmë nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk ishte lajmëruar në telefon, ndërsa sot ishte raportuar si i zhdukur,” tha Bytyqi.
Ai shtoi se, sipas të dhënave fillestare, viktima nuk i ishte përshtatur kushteve të rrugës, humbi kontrollin dhe u përplas në murin mbrojtës të një shtëpie në ndërtim.
Si pasojë, ai pësoi lëndime të rënda trupore që rezultuan me vdekje në vendin e ngjarjes.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, po vazhdon hetimet për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti tragjik.


























