Gjysma e invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë aplikuar për proteza të reja në Fondin për Sigurime Shëndetësore. Megjithatë përkujdesjen e shtetit ndaj tyre, ish ushtarakët e vlerësojnë të dobët.
“Mas 1 ore e gjysmë rashë në mina, e humba një pjesë të këmbës”.
Ecjen e bën me vështirësi.
Kjo pasi invalidi i luftës, Sami Zena, protezën nuk e ka ndërruar që gjashtë vjet.
Mirëpo me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës për mbulim të shpenzimeve të invalidëve, ai është në pritje të një proteze të re.
“Po kemi apliku, na u ka aprovu qetash për me u maru të reja. Normal çdo katër vjet, si të shkon katër vjet, të vret e tana”, tha invalidi i luftës, Sami Zena.
Se invalidët e luftës po pajisen me proteza e thonë edhe nga Fondi i Sigurimeve të Kosovës.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për mbulimin e shpenzimeve të Invalidëve të Luftës së UÇK-së, për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publike është duke u zbatuar”, thuhet nga Fondi i Sigurimeve të Kosovës.
E për ndërrimin e tyre, ata janë informuar edhe nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“I kemi informu edhe ne si shoqatë ngase shumica prej tyre kanë pasë dalë jashtë kohës, 4-5 vite nuk i kanë rregullu protezat. Dhe të gjithë i kemi ftu, i kemi thirrë në telefon, i kemi çu në komision në QKUK dhe kanë apliku”, tha kryetari i SHIL-UÇK, Fadil Shurdhaj.
Nga kjo shoqatë bëjnë të ditur se për gjysmën prej tyre tashmë janë duke u rregulluar protezat.
“Deri më tani janë mbi 50 aplikues të cilët kanë apliku në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Shumica prej tyre edhe janë pajisur me fletëzotimin për mjetet financiare”, tha Shurdhaj.
Mirëpo në përgjithësi, ish-ushtaraku Hysen Gecaj thotë se shteti nuk po përkujdeset për ta.
“Nuk mbështeten dhe kjo është kategoria më e cënume për fat të keq, a kategoria që është vlera më e madhe e këtij vendi”, tha Gecaj.
Deri tash në Kosovë janë të evidentuar 105 invalidë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.