Disa të dyshuar raportohet ta kenë marrë me forcë një burrë në rrugën “Hamëz Jashari” në Prishtinë, të enjten mbrëma.
Policia e Kosovës ka njoftuar se disa të dyshuar kanë marrë me forcë një burrë në rrugën “Hamëz Jashari” në Prishtinë, të enjten mbrëma.
Përmes raportit 24-orësh, Policia ka bërë të ditur se viktima ka arritur të ikë nga vetura.
Sipas PK-së, viktimës i është ofruar tretman mjekësor.
“Fillimisht është raportuar se disa të dyshuar me një veturë me targa vendore, me forcë e kanë marrë viktimën mashkull kosovar dhe kanë ikur në drejtim të panjohur. Më pas viktima ka arritur që të ikë nga vetura e të dyshuarve. Sipas viktimës, të dyshuarit nën kanosjen e armës e kanë futur në veturë, viktimës i është ofruar tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Në njoftim është bërë e ditur se është arrestuar njëri nga të dyshuarit.
“Është identifikuar vetura dhe njëri nga të dyshuarit mashkull kosovar i cili është arrestuar, në vendbanimin e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një revole me një karikator. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet më tej në njoftim.