Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ku kërkon heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të masave të BE-së ndaj Kosovës. Ai argumenton se Kosova ka vepruar në përputhje me të gjitha standardet demokratike dhe ka bërë sakrifica të mëdha në procesin e integrimit evropian.
Hamza rikujton se vendi ka organizuar tri palë zgjedhje brenda një viti, të cilat i përshkruan si “demokratike, transparente dhe paqësore”, edhe pse më pas u përball me bllokadë në formimin e qeverisë. Për të, ky proces tregon “pjekurinë e demokracisë së Kosovës”, ndërsa vazhdimi i masave e vlerëson si “të paarsyeshëm dhe të padrejtë”.
Në letrën drejtuar BE-së, Hamza ndalet edhe te përgjegjësitë ndërkombëtare të marra nga Kosova, përfshirë themelimin e Dhomave të Specializuara.
“Parlamenti i Kosovës themeloi Dhomat e Specializuara, një kërkesë e imponuar vetëm mbi Kosovën, të cilat fatkeqësisht janë shndërruar në një instrument monoetnik”, ka shkruar ai, duke nënvizuar se deri më tani “vetëm udhëheqësit e gjeneratës themeluese të shtetit janë gjykuar”.
Sipas Hamzës, vendi “ka paguar një çmim të lartë për t’u çliruar, për t’u bërë shtet i pavarur dhe për t’u zhvilluar në një republikë demokratike që respekton obligimet ndërkombëtare”.
Për këtë arsye, ai kërkon që BE-ja ta trajtojë Kosovën njësoj si vendet tjera të rajonit dhe të mos e privojë nga “mjetet, mundësitë dhe mbështetja e nevojshme për ecjen drejt BE-së dhe NATO-s”.
“Kërkoj heqjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të të gjitha masave të BE-së ndaj Kosovës”, ka theksuar Hamza, duke shtuar se një vendim i tillë do të ishte sinjal se përpjekjet demokratike të qytetarëve të vendit po njihen dhe po përkrahen.



























