Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit e patriotit të madh shqiptar, Ismail Kadare tha se sot humbëm gjeneralin e letrave e ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në botë, përcjell Kosova Post.
Për më tepër Haradinaj kujton Kadaren si personalitetin që lartësoi kombin, Shqipërinë e Kosovën e letërsinë shqipe e futi në kanalet e bërbotshme.
Postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:
Sot nuk ka emër më të madh ndër shqiptarë, se sa emri Ismail Kadare. Jo vetëm se ai mbetet emblema e letërsisë, e krijimtarisë dhe e krenarisë shqiptare, por sepse ishte shqiptari më i famshëm në Glob. Njeriu që e lartësoi Kombin, që e lartësoi Shqipërinë, që lartësoi Kosovën dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme.
Ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në Botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t’i ketë njeriu!
Ky emër do t’i jetojë epokat!
Lamtumirë Mjeshtër!