Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratave të djeshme të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili doli me ‘kushte’ ndaj Kosovës, përcjell KosovaPost.
Haradinaj, në një postim në Facebook, tha se për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb. Sipas tij Vuçiqi ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“ Ai e ka minuar procesin e dialogut për njohje. Ai i ka urdhëruar serbët lokal të braktisin jetën institucionale. Ai i ka urdhëruar ata t’i braktisin zgjedhjet. Ai i ka mbështetur grupet kriminale dhe i ndikuar edhe nga Rusia, ka hartuar skenar për destabilizimin e Kosovës. Prandaj kërkesat e tij sot, janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Sipas tij e dhimbshme, “por fatkeqësisht terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe”.
Haradinaj ka thënë se me Serbinë ka veç një zgjidhje, njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues.