Dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues, vlerëson ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani.
Sipas tij, Osmani nuk ka të drejtë ta shpërndajë Kuvendin, i cili nga sot ka 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit.
Ai shpjegon se, vetëm në rast se dështon brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Hasani për Radio Evropa e Lirë thekson se konsultimet e partive politike me presidenten për çështjen e caktimit të datës së zgjedhjeve, janë “fiktive dhe jokushtetuese”, si dhe kanë për qëllim “të përligjin rrënimin e rendit kushtetues, për shkak të uzurpimit të kompetencave nga ana e zonjës Osmani”.
“Kjo që ka bërë zonja Osmani, është përpjekje për ndryshim të formës së pushtetit shtetëror dhe shndërrim të sistemit kushtetues nga parlamentar në sistem presidencial. Në sistemet presidenciale dhe gjysmëpresidenciale, presidenti ka të drejtë ta shpërndajë parlamentin. Ndërkaq, në sistemet parlamentare, siç e ka Kosova, kjo nuk ndodh.
Parlamenti shpërndahet vetëm atëherë kur ka mocion mosbesimi, ose kur ai e shpërndan vetveten, si dhe kur nuk mund të formohen me rrugë kushtetuese organet qendrore të pushtetit, të cilat legjitimohen nga parlamenti”, tha Hasani.
I pyetur se çfarë ndikimi mund të ketë në proceset e mëtutjeshme, në rast se dekreti i presidentes Osmani kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, Hasani tha se nëse dekreti kontestohet në Gjykatë, ai anulohet.
“Nëse dekreti kontestohet në Gjykatë, sigurisht që anulohet, sepse është jokushtetues fund e krye.
Në këtë rast, presidentja Osmani i ka uzurpuar kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Askush nga jashtë, asnjë organ nga jashtë nuk mund ta shpërndajë në mënyrë autonome Kuvendin e Kosovës, përveç vetë Kuvendi, në rast të dështimit të tij për të realizuar vullnetin e sovranit.
Pra, asnjë organ tjetër nga jashtë, as presidenti dhe as Qeveria, nuk mund ta shpërndajnë Kuvendin, sepse është natyra e sistemit parlamentar që nuk e lejon një gjë të tillë. Kuvendi nuk i përgjigjet as presidentit dhe as Qeverisë, por anasjelltas”, u shpreh Hasani.


























