Sot në orën 19:00, Kuvendi i Kosovës do të mbaj seancë të jashtëzakonshme.
Ky vendim ka ardhur pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se në këtë mbledhje i kanë ndarë komisionet parlamentare sipas formulës së përcaktuar në rregulloren e punës së Kuvendit, dhe këto do të miratohen sot në seancë.
Sipas Haxhiut, Kuvendi do t’i ketë 16 komisine parlamentare, 4 nga to të përhershme dhe 12 komisione funksionale me nga 11 anëtarë, në përjashtim të komisionit për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve me 12 anëtarë.
” VV kryeson 11 komisione parlamentare, PDK 3, LDK 2 Lista Serbe 1 dhe grupi multietnik 1″, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka treguar se cilat janë pikat e rendit të ditës.
“Miratuam që të trajtohet kërkesa e Qeverisë për ndarje buxhetore në muajin mars, pra 1/12 sipas ligjit për Qeverinë dhe në anën tjetër rregulloren e punës. Qeveria ka bërë kërkesë për Kuvendin e Kosovës, prandaj edhe kjo çështje do të jetë një pikë e rendit të ditës në seancën e sotme në orën 19:00. Çështje tjetër lidhet me një rezolutë për procesin e padrejtë që po zhvillohet në Hagë, ndaj ish krerëve të UÇK-së. Sipas diskutimeve në kryesinë e Kuvendit, ka vullnet nga grupet parlmentare që kjo rezolutë të k6etë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës.”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka treguar se paraprakisht do të ketë një takim të përfaqësuesve të grupeve parlamentare për të diskutuar më tej rezolutën, por që ka thënë se për këto procese të padrejta në Hagë duhet të jenë të unifikuar.


























