Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi sot një takim njoftues me përfaqësues të organizatave partnere dhe organizatave të shoqërisë civile, vendore e ndërkombëtare. Në takim morën pjesë rreth 40 përfaqësues, duke shënuar takimin e parë të saj në këtë cilësi me këto organizata.
Në njoftimin e Kuvendit thuhet se takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe dialogut të hapur, ku u diskutuan sfidat e organizatave të shoqërisë civile, projektet që ato zhvillojnë, si dhe vërejtjet e sugjerimet lidhur me punën e Kuvendit.
U theksua nevoja për më shumë bashkëpunim ndërmjet Kuvendit dhe shoqërisë civile për ligjet e rëndësishme, duke siguruar përfshirje dhe konsultim të hershëm. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e rritjes së transparencës, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë të punës së komisioneve parlamentare dhe hapjen më të madhe të Kuvendit ndaj publikut.
Pjesëmarrësit kërkuan kujdes në ruajtjen e gjuhës parlamentare dhe reagim të qartë ndaj gjuhës denigruese në Kuvend. U theksua edhe nevoja për forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, veçanërisht në aspektin e shpenzimeve qeveritare.
Në takim u diskutua për integrimin e perspektivës gjinore dhe vlerësimin e ndikimeve mjedisore gjatë hartimit të legjislacionit, si dhe për rëndësinë e plotësimit të kapaciteteve njerëzore në komisionet parlamentare. U theksua se roli i shoqërisë civile duhet të vlerësohet jo vetëm në monitorim, por edhe në ofrimin e ekspertizës profesionale për proceset legjislative.
Gjithashtu, u shpreh mbështetje për institucionet në zbatimin e Konventës së Stambollit dhe u potencua rëndësia e shqyrtimit të strategjisë për drejtësi tranzicionale.
Në fjalën përmbyllëse, Haxhiu theksoi se deputetët duhet ta shohin shoqërinë civile si aleate në punën e tyre, veçanërisht deputetët e rinj që kanë nevojë për mbështetje dhe ekspertizë. Ajo nënvizoi se ligjet duhet të hartohen dhe procedohen pa vonesa dhe se gjuha denigruese në Kuvend është e papranueshme dhe kërkon reagim institucional.
Kryetarja njoftoi se do të ndërmerren hapa për Kodin e Sjelljes së Deputetëve dhe se së shpejti do të funksionalizohen Grupi i Grave Deputete dhe Grupi i Deputetëve të Rinj.
Haxhiu shprehu mbështetje për grupet dhe komisionet parlamentare, duke falënderuar organizatat për kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe institucioneve të vendit.
Në fund, ajo dhe përfaqësuesit e organizatave u dakorduan që takime të tilla të mbahen rregullisht dhe në formate tematike, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e koordinimit institucional.


























