Hehir: Serbia përdori ‘Humvee’-t amerikan për t’i trajnuar terroristët

Janë ngritur dyshime për përdorimin e `Humvee` amerikan në ushtrimet e grupit terrorist para sulmit të 24 shtatorit, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Në vazhdën e publikimeve të provave lidhur me sulmin terrorist, dje ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar disa video ku shiheshin grupe të armatosura derisa stërviteshin në Serbi, konkretisht, në prona të kriminelit Milan Radojiçiq.

Profesori universitar britanik nga “Westminster University”, Aidan Hehir, duke iu referuar pamjeve, ka hedhur dyshime se në stërvitjen e terroristëve janë përdorur edhe makinat “Humvees”, që SHBA-ja ia kishte dhuruar Serbisë.“Makina duket si një Humvee amerikane. Sigurisht, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk do të jetë shumë i lumtur që Serbia përdori Humvees të dhuruara nga SHBA për t’i trajnuar terroristët? Vuçiq ka shumë për të shpjeguar!”, ka shkruar ai në rrjetin social X..

Ndryshe vite më parë SHBA ka dhënë donacion për Forcat e Armatosura Serbe. Vlera e automjeteve të dorëzuara për Forcat e Armatosura të Serbisë kap shifrën e mbi 3.8 milionë dollarë amerikanë, ndërsa vlera e përgjithshme e 40 automjeteve të dhuruara deri më tani nga SHBA, duke përfshirë edhe këtë këst, shkon në më shumë se 7.5 milionë dollarë.

Ndërkohë, sot, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq ka bërë kërcënim të hapur për agresion ndaj Kosovës.

Ai në një konferencë të përbashkët për media në Beograd me kreun e ushtrisë, Milan Mojsilloviq, ku është përpjekur t’i demantojë provat e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për përgatitjet e grupit terrorist në krye me Milan Radojiçiqin në kampet e ushtrisë së Serbisë, nuk ka ngurruar të bëjë deklaratë tjetër luftënxitëse.

“Nëse ushtria e Serbisë merr një urdhër të tillë nga presidenti i Republikës si komandant suprem, që njësitë e saj të hyjnë në territorin e Kosovës, ushtria e Serbisë një detyrë të tillë do ta ekzekutojë në mënyrë efikase, profesionale dhe të suksesshme”, është shprehur ministri serb.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish