Në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së, FBI, dhe ato të Shqipërisë, Policia e Shtetit dhe SPAK, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë zhvilluar kontrolle në Prishtinë dhe në Gjilan, për hetimin e rasteve “Rydox” dhe “BlackBD”, me ç`rast janë arrestuar tre persona, transmeton KosovaPost.
Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
“Këto dy raste (RYDOX dhe BlackDB) janë hetuar në bashkëpunim me autoritetet e ShBA-së (Prokurorinë dhe Byronë Federale të Hetimeve – FBI). Në rastin RYDOX ka pasur bashkëpunim edhe me autoritetet e Shqipërisë (SPAK dhe Policia e Shtetit – Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike) ku është bashkërenduar operacioni policor me ç’rast edhe në Shqipëri është arrestuar një person i dyshuar si bashkëpunëtor i dy të dyshuarve nga Kosova. Të dyshuarit në rastin RYDOX, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë themeluar dhe udhëhequr për disa vite me radhë tregun kriminal online “RYDOX.”, thuhet në komunikatë.
Siç theksohet në njoftim, ky treg online ka qenë i dedikuar për keqbërës të cilëve u ka ofruar, shitur dhe trafikuar produkte dhe shërbime të kundërligjshme, përfshirë të dhëna personale të viktimave (shtetas amerikan) si: emra, adresa, numra të sigurimit social, patent shoferi, e-mail adresa dhe fjalëkalime, dhe të dhëna të llogarive bankare për qasje online.
Tregu kriminal online ka qenë i vendosur në një server në Malajzi, dhe në bashkëpunim me autoritetet e Malajzisë ky server është sekuestruar.
“I dyshuari në rastin BlackDB, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, ka udhëhequr për disa vite me radhë administrimin e tregut kriminal online “BlackDB”. Ky treg kriminal online ka ofruar për shitje të dhëna të llogarive dhe serverëve të komprometuar, të dhëna të kartave të kreditit, dhe të dhëna tjera personale të shtetasve amerikan. Keqbërësit kibernetik, me të dhënat që janë furnizuar nga tregu “BlackDB” i kanë përdorur për qëllime të ndryshme kriminale, përfshirë mashtrimet me taksa, mashtrime me kartela krediti, dhe vjedhje identiteti”, theksohet në komunikatë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar kriptovaluta, kompjuterë laptopë, shtëpiza kompjuteri, telefona mobilë dhe pajisje memorizuese.