Akuzat e reja dolën në pah në panelin hetimor që hetonte krimet e luftës të kryera në Afganistan,transmeton Kosova Post.
Në panelin hetimor të ngritur për të identifikuar krimet e luftës të kryera nga ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar në Afganistan, avokatët e viktimave pohuan se komandot e Forcave Ajrore Speciale Britanike (SAS) kishin vrarë dhjetëra civilë të paarmatosur.
Leigh Day, një firmë ligjore me bazë në Londër që mbron familjet e viktimave, i tha komitetit hetimor se më shumë se 80 afganë vdiqën në të paktën 30 incidente të dyshuara midis 2010- 2013.
Një hetim publik mbi krimet e luftës të kryera nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar në Afganistan filloi në dhjetor dhe të gjitha palëve iu kërkua të paraqisnin provat që kishin.
Sipas dosjes së Leigh Day për hetimin, ushtarët e SAS synonin afganë meshkuj të moshës luftarake “pavarësisht nëse paraqesin kërcënim apo jo” në operacionet e tyre në Afganistan.
Në dosje, vetëm një ushtar pretendonte se kishte vrarë 35 afganë gjatë 6 muajve të tij në vend.
Në dosjen ku thuhej se vrasjet tentoheshin të zbardheshin me pretendimin se afganët ishin të armatosur, vihej re se në disa raste kishte më pak armë sesa numri i personave të vdekur.
Pretendimet e mëparshme mbi këtë temë ishin se një njësi SAS vrau 54 njerëz. Megjithatë, avokatët argumentojnë se krimet e luftës janë kryer nga më shumë ushtarë për një periudhë më të gjatë kohore.
Në vitin 2019, policia ushtarake kreu një hetim për këtë çështje dhe Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar tha se nuk u gjet asnjë element kriminal si rezultat i hetimit.
Avokatët e viktimave pohuan se gjatë hetimeve u shkatërruan një pjesë e madhe e provave në selinë e forcave speciale të njësisë së policisë ushtarake.
Dëshmia gjithëpërfshirëse për krimet e luftës të kryera nga forcat e Mbretërisë së Bashkuar në Afganistan pritet të dal në vjeshtë. Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes kërkon që shumica e seancave të jenë të mbyllura për shtyp.
Një vendim për privatësinë do të merret këtë javë.