Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se sot Lindja e Mesme po kalon një nga momentet më të rëndësishme në dekada, përcjell KosovaPost.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se me rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, Kosovës i hapet një mundësi e re për të tejkaluar kundërshtimin e Iranit ndaj pavarësisë së saj, në vende si Siria, Libani dhe Iraku, të cilat sipas tij, po dalin nga orbita e ndikimit iranian, falë politikës së mençur të Turqisë dhe Izraelit.
“Sot, qeveria e Kosovës nuk ka ende qëndrim për këto zhvillime dhe se si t’i përdorë ato për njohjen e mëtejshme të Kosovës. Kosova duhet të jetë ndër vendet e para që njohin qeverinë e përkohshme të Sirisë, një vend ku Serbia ishte aleate e regjimit brutal të Assadit, dhe të kthejë këtë moment në favor të njohjes së Kosovës nga Libani dhe Iraku”.
“Diplomacia e Kosovës duhet të dalë nga moratoriumi i vetë-imponuar ndaj njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.