Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, e ka kritikuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurti, për fjalimin e tij në kuvend, shkruan Kosova Post.
Hoxhaj e cilësoi fjalimin e kurtit “palidhje”, ndonëse kryeministri reflektoi mbi problemet të cilat e karakterizojnë procesin dhe gabimet të cilat janë bërë në të kaluarën.
“Nga kjo paraqitje kuptuam që dialogu nuk është i përgatitur politikisht fare, nuk është i përgatitur në rrafshin diplomatik. Sot kur dëgjova për dialogun e kuptova që jeni të papërgatitur.”, tha ai. Hoxhaj theksoi se Kurti e shpalli të vërtetën e tij të përkryer absolute, por është gabim që të shkohet në dialog pa platformë, pa parime, pa kërkuar falje Serbia, pa i anuluar marrëveshjet e mëparshme siç ka kërkuar Kurti më parë.
“Kur është dialogu i ri, ky duhet ta sjellë një platformë të re në Kuvend. Dialogu i ri i Albinit është një foto me Vuçiqin javën e ardhshme… Projekti i vjetër, paketimi i ri ju po shkoni në dialog jo për njohje të ndërsjellë, po për t’i normalizuar raportet me Serbinë.”, tha Hoxhaj./KosovaPost/