Ambasadori Angılı ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Türkiye-s për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Türkiyes në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, të cilit i ka uruar mirëseardhje.
Siç njofton Presidenca, në takim me ambasadorin e ri të Türkiye-s, presidentja Osmani ka biseduar për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy shteteve, ndërsa ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që raportet bilaterale dhe bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare të intensifikohen edhe më tej.
Njëkohësisht, presidentja Osmani ka folur edhe për tërmetet shkatërruese në Türkiye, të cilat kanë shkaktuar mijëra viktima, dhe në këtë kontekst ka theksuar se populli i Kosovës vazhdon të solidarizohet me popullin e Türkiye-s në këtë kohë sfiduese “teksa institucionet kosovare vazhdojnë t’i mbështesin përpjekjet e autoriteteve turke për t’i tejkaluar pasojat e kësaj tragjedie”.
Me ambasadorin Angılı, Osmani ka biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe potencialin e rritjes së bashkëpunimit në sfera të tjera të interesit të dyanshëm. Në temën e zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë, Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.
Ndër të tjera, ambasadori Angılı ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Türkiye-s për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.