Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka komentuar sulmet e qeveritarëve ndaj prokurorëve, gazetarëve apo sindikalistëve, në raste e kohë të caktuar.
Sipas saj, këto sulme të vazhdueshme janë dëshmi e vrazhdë e mendësisë totalitare të tyre.
“Sulmet e vazhdueshme të qeverisë kundër emrave të përveçëm, prokurorëve, gazetarëve, sindikalistëve, janë dëshmi e vrazhdë e mendësisë totalitare të tyre. Këta nuk duan të qeverisin. Duan të sundojnë”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.
Ajo e ka quajtur nënshtrim ose stigmatizim deklaratën e mbrëmshme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila duke komentuar situatën e kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj është shprehur se ai “e ka bishtin e zënë me dere”.