Rreth dy të tretat e liderëve amerikanë në sferën e biznesit (65 për qind) besojnë se në vitin 2023 ka gjasa të ketë recesion, transmeton Anadolu Agency (AA).
Liderët që morën pjesë në anketë ishin shumë më pak optimistë për ekonominë globale sesa një vit më parë, tregoi hulumtimi i “Business Leaders Outlook” i publikuar nga kompania e shërbimeve financiare JP Morgan.
“Vetëm 8% për qind kanë një perspektivë pozitive për ekonominë globale sot. Një vit më parë, ky numër ishte 34 për qind”, thuhet në hulumtim.
Ndërkohë, rreth 22 për qind e liderëve ishin optimistë për ekonominë amerikane këtë vit, që është një rënie e ndjeshme nga 50 për qind sa ishte në fillim të vitit 2022.
Shumica dërrmuese e bizneseve (86 për qind) parashikuan se të ardhurat e tyre do të rriteshin ose do të mbaheshin konstante në vitin 2023, zbulon hulumtimi.
Rreth 90 për qind e bizneseve presin të mbajnë ose të shtojnë punëtorët e tyre për vitin e ardhshëm, pavarësisht parashikimeve të zymta ekonomike.