Komuna e Gjilanit ka njoftuar se seanca urgjente e thirrur këtë enjte nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, përsëri është injoruar nga këshilltarët komunalë të opozitës.
Sipas njoftimit, pas mbylljes së seancës për mungesë kuorumi, i pari i komunës ka mbajtur përsëri konferencë për medie për t’i informuar qytetarët e Gjilanit për mosmbajtjen e seancës për miratimin ne buxhetit.
Kryetari Hyseni tha se edhe sot, në seancën urgjente të Kuvendit Komunal, opozita e ka injoruar thirrjen tonë duke e çuar kështu Komunën e Gjilanit drejt një gjendjeje emergjente, që i lë qindra familje pa paga e, gjithashtu, stopon të gjitha investimet kapitale.
“Ne do të vazhdojmë të thërrasim seanca urgjente, duke shpresuar në reflektimin e shpejtë të opozitës”, tha kryetari Alban Hyseni.
Nga ana tjetër bëhet e ditur se i pari i komunës përsëri ka ftuar mbledhje urgjente të Kuvendit Komunal për nesër (ditën e premte) në orën 09:00 dhe, pas saj, edhe konferencë për medie.