Kur ke përballë një gjeni si Lionel Messi, është e vështirë të qëndrosh indiferent. Edhe nëse je një arbitër ndërkombëtar si Marco Antonio Ortiz Nava, i cili, në përfundim të ndeshjes së Concacaf Champions League mes Kansas City-t dhe Inter Miamit, vendosi t’i kërkonte një autograf yllit argjentinas.
Një veprim në dukje i pafajshëm, por që, duke qenë se u kap nga kamerat, shkaktoi menjëherë polemika të shumta. Ishin pikërisht drejtuesit e Kansas City-t ata që ndezën debatin, pasi u eliminuan me rezultatin 1-0 në një ndeshje të luajtur në temperatura nga -14 deri në -17 gradë, duke kërkuar ndërhyrjen e MLS-së dhe Concacaf-it. Ky i fundit nuk vonoi të reagonte, duke e pezulluar arbitrin meksikan për gjashtë muaj.
“Sjellja e arbitrit nuk është në përputhje me kodin e etikës së Konfederatës për zyrtarët e ndeshjeve dhe me procedurat ekzistuese për raste të tilla. Arbitri e ka pranuar gabimin e tij, është kërkuar falje për incidentin dhe ka pranuar masat disiplinore të vendosura nga Concacaf,” – thuhej në një komunikatë të Konfederatës së Amerikës Qendrore, duke paralajmëruar në mënyrë të qartë arbitrat e saj që në të ardhmen të mos përsërisin veprime të ngjashme.






















