I mbijetuari i Masakrës së Burgut të Dubravës, Demë Ramosaj, ka deklaruar se përveç gardianëve serbë që gjuanin me armë në drejtim të të burgosurve në Burgun e Dubravës, ishin edhe të burgosurit serbë që ishin veshur me uniformë dhe po ndihmonin në krim.
Ramosaj ka thënë se edhe të burgosurit serbë kanë gjuajtur me armë në drejtim të shqiptarëve të burgosur.
“Prej se ka ngjarë kjo e deri më sot, çdo familjar edhe ne që jemi të mbijetuar kemi emocione të ndryshme dhe ndjejmë dhimbje të mëdha. Përveç gardianëve serbë që kanë gjuajtur mbi ne, kanë qenë edhe të burgosurit ordinerë serbë e nacionaliteteve të tjera që i kanë veshur me uniformë dhe na kanë gjuajtur”, ka thënë ai.
“Në drejtim timin, unë kam qenë në pusetë. I kam të freskëta të gjitha, Më datën 19, masakra ka filluar dhe ka përfunduar më 24, ndërsa me datën 24 na kanë dërguar për Lipjan. Masakra që është bërë brenda, është bërë në çdo vend”.
“Me datën 21, prej mëngjesit deri në mbrëmje ka pasur të shtëna e bombardimeve të NATO-s, me datën 22 na është bërë masakra, na kanë thirr se na i hapëm dyert kur bombardoi NATO-ja por u frikësuan edhe gardianët, dhe njëri prej tyre na hapi hyrjen dhe dolëm në oborr të pavijonit”.
Ai thotë se kishin insistuar që të lirohen edhe të burgosurit nga dy pavijonet e tjerë.
“Ne kemi insistuar të hapen edhe dy pavijonet e tjera, pavijoni C dhe grupi i Gjakovës, ky i fundit nuk kanë pranuar të dalin fare ndërsa tjetri pavijon dolën. Për me ia lënë fajin NATO-s ata filluan ta bënin masakrën në të gjitha vrimat. Jemi afruar në pistën ku na thanë afrohuni, menjëherë sa jemi bërë rresht mirë, menjëherë kanë filluar të shtëna te tyre me të gjitha llojet e armëve, grupi i parë rreshti i parë të gjithë ata kush kanë vdek e kush plagos, nja 10 minuta kanë zgjatur të shtënat”.
Janë shënuar 24 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës, njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviq.