Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore kanë arritur të identifikojnë eshtrat e shtatë viktimave të Masakrës së Kralanit, të zhdukura nga periudha e luftës së fundit në Kosovë, transmeton KosovaPost.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se për këtë ka njoftuar edhe familjet e shtatë viktimave, pas analizave të ADN-së dhe procesit të identifikimit final.
“Mbetjet mortore (eshtrat) e viktimave të identifikuara janë gjetur dhe zhvarrosur nga lokacioni i varrit masiv në Bishtazhin të Gjakovës, ndërkohë, procesi i identifikimit final po vazhdon edhe për pesë persona të tjerë nga lista e personave të zhdukur”, thuhet në njoftimin e komisionit.
Familjarët e viktimave kanë njoftuar se varrimi i tyre do të bëhet më 4 prill.
Sipas të dhënave ndërkombëtare, rreth 13.535 persona janë vrarë apo zhdukur gjatë viteve 1998-2000 nga të cilët mbi 10 mijë persona kanë qenë civilë, ndërsa 1.133 prej tyre kanë qenë fëmijë të vrarë apo të zhdukur.
Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet fati i rreth 1.600 të pagjeturve.