Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë në Gjermani, çmimet e prodhimit u rritën me 18.4 për qind në tetor, ku kjo është si rritja më e madhe që nga viti 1951, transmeton KosovaPost.
Analistët e anketuar nga Reuters kishin pritur që çmimet e prodhimit të rriteshin me 16.2 për qind në tetor në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave të Entit Federal të Statistikave Gjermane, çmimet e energjisë janë rritur me 48,2 për qind në tetor në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. Pa përfshirë çmimet e energjisë, indeksi i çmimeve të prodhimit është rritur me 9.2 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Çmimet e prodhimit janë një nga faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në inflacion. Të dhënat e çmimeve të prodhimit bazohen në çmimet e vendosura në fabrikë përpara se produktet të përpunohen dhe të vendosen në treg. Prandaj, të dhënat janë një sinjal i hershëm i çmimeve të konsumit.
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, deklaroi se inflacioni do të ulet me kalimin e kohës dhe për këtë arsye BQE nuk duhet të shtrëngojë politikën e saj monetare për të mos ngadalësuar rimëkëmbjen e ekonomisë./KosovaPost/.