Interi mund të humbasë një tjetër lojtar për ndeshjen kundër Lazios që do të luhet këtë fundjavë. Sipas Tyc Sport, sulmuesi “zikaltër”, Joaquin Correa është dëmtuar me kombëtaren e tij.
Mediat argjentinase raportojnë se Correa nuk e zhvilloi seancën stërvitore me pjesën tjetër të ekipit. Ai u stërvit i diferencuar për shkak të një problemi fizk. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë trajneri i Argjentinës i cili tha se Correa ka shfaqur disa probleme fizike gjatë stërvitjes.
Megjithatë, ende nuk dihet shkalla e dëmtimit. Correa pritet të largohet nga grumbullimi me kombëtaren më herët. Ai do të kthehet në Milano për të zhvilluar teste mjekësore më të hollësishme. Ndërkohë, në kampin zikaltër shpresojnë që dëmtimi të mos jetë i rëndë në mënyrë që sulmuesi argjentinas të rikuperohet në ndeshjen ndaj ish-ekipit të tij, Lazios.