Pushteti i presidentit serb Aleksandar Vuçiq është i lidhur me kriminelët dhe se këta si Veljko Belivuk i ka krijuar shteti.
Kështu ka thënë ish-kolonelja në Ministrinë serbe të Punëve të Brendshme, Sllavica Radovanoviq duke shtuar se kriminelët më të mëdhenj janë formuar në pushtetin e Partisë Progresiste Serbe (SNS) që drejtohet nga vet Vuçiqi.
“Qeveria [e Serbisë] ishte e lidhur me kriminelët dhe i vendoste bashkëpunëtorët e saj në kuadrin e bashkëpunimit dhe komunikimit. Lidhja ka ekzistuar gjithmonë, por kohëve të fundit ka marrë vrull. Kur e shikon, kriminelët më të mëdhenj i ka krijuar vet shteti”, thotë Radovanoviq.
Ajo në një intervistë për mediet serbe, pohon se krimineli famëkeq Veljko Belivuk i njohur edhe si Velja Nevolja është krijuar në kohën e pushtetit të SNS-së.
“Duhet bërë një analizë e personave që kanë ardhur në MPB për poste shumë të rëndësishme në 10 vitet e fundit. SNS menaxhon kuadro të tilla. Belivuk nuk është krijuar nga opozita, por është krijuar në kohën e pushtetit të SNS-së. Është për të ardhur keq që Qeveria serbe i mohon kontaktet e tilla”, pohon ajo.
Radovanoviq përmend edhe ish-sekretaren shtetërore, Dijana Hrkaloviq për të cilën thotë se duhet të ketë hetime se si kishte ardhur ajo në MPB.
“Nëse do të fillojmë të pyesim se kush me kë është në marrëdhënie, duhet të fillojmë me Hrkaloviqin. Ajo është nga njerëzit më të papëlqyer, cila mori vendime shumë të gabuara për MPB-në, për shkak të të cilave nuk mund t’ia rikthejë imazhin institucionit, në vend që të ndiqet penalisht dhe të mbartë pasojat ajo po përpiqet të pastrohet për t’iu kthyer skenës politike”, përfundon Radovanoviq.
Nga raportimet e medieve në Serbi, Hrkaloviq kishte hyrë në Agjencinë për Siguri dhe Informacion (BIA) me ndihmën e huliganëve.
“Është padyshim e qartë se ajo ka qenë e afërt me huliganët para se të merrte detyrën në BIA, ka shkuar në turne me ta dhe në atë kohë po shoqërohej intensivisht me krerët e fraksioneve që tashmë kishin dosje vuliminoze. Megjithatë, mbetet mister se si ajo arriti të punësohej në BIA”, thuhet në raportimet e medieve serbe.


























