Ushtria izraelite njoftoi të shtunën se ka përfunduar rrethimin e qytetit Rafah dhe ka mbyllur ndërtimin e të ashtuquajturit Korridori Morag, duke e ndarë Rafahun nga Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Në një deklaratë, ushtria tha: “Forcat e Divizionit të 36-të kanë përfunduar rrethimin e Rafahut.”
Gjithashtu, sipas saj, në 24 orët e fundit trupat “kanë përfunduar hapjen e Korridorit Morag, i cili kalon përmes jugut të Gazës, midis Rafahut dhe Khan Younisit.”
Ky zhvillim pason një raport të gazetës Haaretz, e cila zbuloi se ushtria izraelite po përgatitet të përfshijë Rafahun, një zonë që përbën rreth një të pestën e Rripit të Gazës, në një të ashtuquajtur zonë tampon, ku palestinezëve do t’u ndalohet hyrja.
Gazeta e përshkroi këtë lëvizje si “zhdukje e qytetit”.
Sipas Haaretz, zona tampon e planifikuar shtrihet në rreth 75 kilometra katrorë dhe përfshin zonën midis korridoreve Philadelphia dhe Morag, duke përfshirë Rafahun dhe lagjet përreth.
Korridori Morag mban emrin e një vendbanimi izraelit të paligjshëm që ndodhej dikur në Gaza, përpara tërheqjes së njëanshme të Izraelit në vitin 2005. Ai shtrihet midis Khan Younisit dhe Rafahut në jug.
Më 2 prill, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë video: “Ne po marrim kontrollin e Korridorit Morag, i cili do të jetë një korridor shtesë për Philadelphi-në.”
Të enjten, grupi palestinez Hamas e akuzoi Netanyahun se po përpiqet të vendosë një status të ri në Rafah, me synim izolimin e Gazës nga pjesa tjetër e botës arabe.
Ushtria izraelite rifilloi ofensivën e saj të përgjakshme në Gaza më 18 mars, duke shkelur armëpushimin dhe marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve që ishte në fuqi që nga janari.
Që nga tetori i vitit 2023, më shumë se 50.900 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë janë vrarë nga ofensiva izraelite në Rripin e Gazës.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) lëshoi në nëntor urdhërarreste për kryeministrin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) për luftën e tij në enklavën palestineze.