Si pasojë e goditjes nga ushtria izraelite e një ambulance në veri të Gazës nën bllokadë, kanë humbur jetën tre punonjës të shëndetësisë, ndërsa një tjetër është vrarë në pjesën lindore të Gazës, transmeton KosovaPost.
Sipas një deklarate nga Gjysmëhëna e Kuqe e Palestinës, forcat izraelite vendosën në objektivin e tyre një ambulancë në veri të Gazës të cilin e mbajnë nën bombardime intensive.
Si pasojë, punonjësit e shëndetësisë Halil esh-Sherif, Yusra el-Mısri dhe Ahmed Dehman humbën jetën në ambulancën që u godit nga Izraeli.
Ndërsa në një deklaratë tjetër të bërë nga Gjysmëhëna e Kuqe e Palestinës informohet se punonjësi shëndetësor Hatem Avad ka humbur jetën teksa bënte detyrën e tij humanitare në pikën e kalimit në lindje të Gazës. Në deklaratë nuk u dhanë më shumë informacione.
Konflikti Izrael-Palestinë
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit në mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e një sulmi gjithëpërfshirës të emërtuar “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit.
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa, ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas nga këtu hynë në zonat e vendbanimeve brenda Izraelit, ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë.
Në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.200 izraelitë.
Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë ndaj Gazës kanë humbur jetën 1.055 persona, ndërsa janë plagosur 5.184 të tjerë.
Ndërkohë, në sulmet e ushtarëve izraelitë në Bregun Perëndimor kanë humbur jetën 21 persona dhe janë plagosur rreth 130 të tjerë./AA


























