Një pacient ka vdekur disa orë pasi i ishtë nënshtruar një operacioni, që ishte kryer për herë të parë në QKUK. Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë ka drejtuar akuza ndaj mjekëve që e kanë kryer operimin, duke thënë se s’janë kompetentë. Kardiokirurgu kryesor i ka reaguar ashpër duke thënë se po tenton ta eliminojë dhe ka kërkuar të bëhet autopsia. Për kardiokirurgun dhe Drejtorin e Klinikës, tashmë ka nisur hetime Oda e Mjekëve. Ndërkohë, edhe Prokurori i Shtetit e ka autorizuar Policinë që të nis hetime për të parë nëse është kryer ndonjë vepër penale.
Para dy ditësh, Kardiokirurgu i Qendrës Klinike dhe Universitare, Kushtrim Shala, ishte mburrur në Facebook, se kishte realizuar suksesshëm për herë të parë në QKUK, një operacion të rrallë e kompleks. Bëhet fjalë për operacionin “David”, për të cilin tha se kryhet kryesisht në qendra të mëdha e me eksperiencë afatgjatë.
“Për herë të parë në QKUK në Kardiokirurgji kemi realizuar operacionin David tek një pacient me diseksion akut të aortës dhe repturë në nivel të rrënjës së saj…Operacionet e tilla komplekse kryhen kryesisht në qendra të mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjatë dhe të specializuara për kirurgjinë e aortës”, kishte shkruar Shala.
Pas operacionit, Shala kishte deklaruar se pacienti ishte vendosur në mjekim intenziv në gjendje stabile për trajtim të mëtejshëm.
“Pacienti i pranuar në gjendje shoku si diseksion akut Stanford tip A në mesnatën e djeshme pas operimit në mëngjesin e sotëm është vendosur në mjekimin intenziv kardiokirurgjik në gjendje stabile për trajtim të mëtejshëm.”.
Por, disa orë pas këtij operimi, pacienti i moshës 63-vjeçare ka vdekur. Se pacienti ka vdekur disa orë pas operacionit e konfirmoi Drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, i cili tha se është në pushim por se është njoftuar për rastin.
Brahimaj drejtoi akuza ndaj Shalës dhe mjekëve të tjerë që e kryen këtë operacion, duke thënë se s’janë kompetent.
“Jam në pushim por jam informuar për rastin. Mjekët që e kanë kryer këtë operacion nuk janë kompetent për ndërhyrje të tilla sepse ata kanë vështirësi edhe në procedura standarde. Të hysh në një procedurë të tillë pa pasur përvojën e duhur dhe ta paraqitësh si sukses, e pacienti ndërron jetë pas disa orësh, kjo me të vërtetë është hipokrizi”, deklaroi Brahimaj.
I njëjti paralajmëroi edhe se do të merren masa ndaj mjekëve.
“Ju e dini se është e ndaluar me rregullore të SHSKUK-së publikimi i rasteve të tilla. Kjo është shkelja e parë që e kanë bërë mjekët dhe sigurisht se duhet të merren masa. Duhet poashtu të bëhet një vlerësim i rastit. Pacientët mund të vdesin nga komplikime edhe në rastet më të lehta, por në këtë rast është kryer një procedurë nga persona jokompetent. Ata kanë licencën e kardiokirurgut dhe ne nuk mund t’i ndalojmë të kryejnë operacione ose t’ju tregojmë se cilat operacione t’i kryejnë, por duhet të shikohet rasti dhe të merren masa”, ka deklaruar Brahimaj.
Brahimajt i reagoi Shala, përmes një postimi në Facebook, i cili më shumë e kritikoi pse është deklaruar për media nga pushimi vjetor. Madje, deklaratën e Brahimajt, Shala e cilësoi si tendencë për eliminimin e tij nga Kardiokirurgjia.
“Për dallim nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë Rifat Brahimaj i cili pa qenë fare prezent dhe pa patur fare idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit, pa kontaktuar fare me mua si kardiokirurg operator dhe pa kërkuar sqarim për rrjedhjen e operacionit (që ka të drejtë t’a bëj në cilësinë e u.d. drejtorit) thërret mediat dhe u flet per operacionin tim e madje dhe këtë e bënë duke qenë në pushim vjetor”, shkroi Shala.
Në postimin e tij, Shala tha se pacienti ka qenë i monitoruar nga anesteziologu dhe për çfarëdo eventualiteti kirurgjik emergjent, përgjegjës ka qenë kardiokirurgu kujdestar.
“Sepse kirurgu operon pacientin dhe atë e le nën përkujdesjen e ekipës kujdestare, sepse pas një kujdestarie 24 orëshe në këmbë (si mjek I vetëm në klinikë) dhe me një operacion emergjent me kohëzgjatje disa orëshe gjatë gjithë natës nuk mund të pritet që vazhdoj akoma ne klinikë ta përcjell pacientin”, thuhet në postimin e tij.
Ai kërkoi që të bëhet autopsia për të parë arsyen e vdekjes, derisa organet e hetuesisë që t’i hetojnë dosjet e statistikat e Brahimajt, duke thënë se “vdekshmëria krahasohet me ato të laboratoreve eksperimentale”.
“Duke njohur bekgraundin profesional dhe etik të Rifat Brahimaj nuk quditem për veprimin mjeran të cilin ka zgjedhur ta bëjë , ngase në PSEUDOKARDIOKIRURG me vetëm 16 MUAJ TRAJNIM ME KORRESPODENCË e me vdekshmëri që krahasohet me ato të laboratoreve eksperimentale (ftoj organet e hetuesisë ti shohin dosjet e statistikat ) nuk ka aftësi e dijeni profesionale të gjykoj punën e dikujt tjetër. Mjerisht njerëz të tillë vendosen në pozita menaxheriale…”.
Pas deklaratave të Brahimajt, në mbrojtje Shalës i doli edhe kolegu i tij, Gani Bajraktari, i cili tha se kolegu i tij do të kryente vepër penale nëse s’do ta fuste në sallë pacienti.
“Kushtrimi e kishte obligim moral, etik e profesional që të fuste pacientin në sallë! Për më tepër ai e kishte edhe obligim ligjor, sepse drejtori i tij ia kishte dhënë këtë detyrë duke e vënë kujdestar për raste urgjente (siç ishte rasti i pacientit fatkeq)! Do të ishte vepër e rëndë penale nëse ai nuk do e fuste në sallë pacientin!!
Ai beri nje veper heroike per 10 ore pune (imagjinojeni 10 ore operacion) per te shpetuar nje jete njeriu! I entuziazmuar nga kryerja me sukses e operacionit te komplikuar ai bene nje postim (qe edhe mund të kete shkelur rregulloret e QKUK, shkelje minore etike per mua)!
Per fat te keq pacienti paska perfunduar me vdekje disa ore pas opercionit (e shpeshtë kjo tek kjo patologii edhe në klinikat më prestigjioze në botë, e të shpeshta edhe te plot pacientë kardiak në Kosovë)!”, shkroi Bajraktari.
Nisin hetimet për rastin
Lidhur me këtë rast, Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetimet për kirurgun e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Kushtrim Shala dhe Drejtorin e Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj.
Lajmin e ka konfirmuar Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
“Kanë nisur hetimet në dy nivele pas vdekjes së pacientit mundësia e shkeljeve profesionale po edhe shkeljeve etike si prej anës së mjekut ashtu edhe të drejtorisë”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka sqaruar edhe procedurat se si do të hetohet rasti, duke shtuar se deklaratat do t’i merr Prokurori i Odës.
“Janë çështje të prokurorit të Odës i cili i merr deklaratat e tyre. Presim edhe raportin prej inspektoratit shëndetësor i cili i mbledhë gjitha dokumentacionet dhe ia dorëzon Odës kjo është procedura. Pastaj edhe nëse është fut edhe prokuroria e shtetit që siç kemi marr vesh që po me siguri do të lypet edhe ekspertizë”, ka thënë Sejdiu.
Edhe Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë që të kryejë hetime nëse ka pasë ndonjë vepër penale.
Për Gazetën Express këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj
“Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme, me qëllim të sqarimit të kësaj çështje dhe eventualisht në rast të paraqitjes së elementëve të ndonjë vepre penale, do të veprohet tutje me këtë rast”, ka thënë Ulaj.