Në zyrën kryeministrore sot mysafir ka qenë historiani, Oliver Jens Schmitt. Schmitt që është profesor i historisë së Evropës Juglindore dhe autor e akademik, në Kosovë është në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit, me ligjëratë mbi rëndësinë e studimit të historisë së shqiptarëve, transmeton KosovaPost.
Në këtë takim ku i pranishëm ishte edhe rektori i Universitetit të Prizrenit, “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, thuhet se u bisedua mbi mundësitë e bashkëpunimit me historianin Schmitt dhe kontributin që mund të ofrojë qeveria në fushën e historisë dhe studimeve të saj, e gjithashtu edhe për rëndësinë e shtuar të historisë në politikën dhe gjeopolitikën aktuale botërore.
“Kryeministri Kurti e vlerësoi atë për kontributin dhe angazhimin e tij në studimin dhe njohjen e historisë dhe kulturës shqiptare”, thuhet në njoftimin për këtë takim.
Schmitt tashmë mban titullin Doktor Nderi – “Dr. Honoris Causa” , i ndarë javën e shkuar nga Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, duke u bërë figura e shtatë në histori të këtij universiteti, të cilit i ndahet ky titull e nderim.