Disa nga ngjarjet, njerëzit dhe datat më me ndikim në historinë botërore që kanë shënuar ditën e sotme, 7 mars, shkruan Kosova Post.
7 Marsi është dita e 66 e këtij viti, deri në fund të tij janë edhe 299 ditë.
1887 – Hapet Mësonjëtorja e Korçës, shkolla e parë në gjuhën shqipe (quhet e para ndoshta sepse për herë të parë mësimi shqip kryhet në mënyrë të organizuar dhe në bazë të një programi mësimdhënës). Mësonjtorja kishte fillimisht 35 nxënës me 4 klasa mësimi dhe 1 klasë përgatitore. Lëndët ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik. 7 marsi festohet në Shqipëri si dita e mësuesve. Shkolla të tjera u hapën sipas këtij shembulli në mbarë trojet shqiptare. Vetë Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 15 vjet. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj.
7 mars 1876 – Aleksandër Graham Belli mori patentën e shpikjes së tij, të cilën e pagëzoi me emrin “telefon”.
7 mars 1917 – Pllaka e parë historike e muzikës xhaz doli në shitje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
7 mars 1969 –Golda Majer u bë gruaja e parë kryeministre e Izraelit dhe njëherësh e katërta në botë.
7 mars 1979 – Sonda hapësinore amerikane, “Voyager I”, zbuloi se edhe Jupiteri me Uranin kanë gjithashtu nga një unazë planetare si ajo e Saturnit. “Voyager I” e shoqëroi këtë zbulim me shumë fotografi të unazës planetare të Jupiterit.
7 mars 1979 – Turqia dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan marrëveshjen e parë të naftës ndërmjet tyre.
7 mars 1984 – Flamuri turkoqipriot u miratua nga Kuvendi Kombëtar i Republikës Turke të Qipros së Veriut.
7 mars 1989 – Irani njoftoi botërisht ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Anglinë. Marrëdhëniet e Teheranit me Perëndimin arritën nivelin minimal gjatë luftës 8-vjeçare Iran-Irak, e cila shpërtheu në vitin 1980.
7 mars 1990 – Gazetari turk, Çetin Emeç, kryeredaktor i të përditshmes “Hurriyet”, humbi jetën si pasojë e një atentati, ku mbeti i vrarë gjithashtu shoferi i tij, Ali Sinan Erxhan.
7 mars 1999 – U nda nga jeta regjisori i famshëm amerikan, Stenli Kubrik. Disa nga filmat më të rëndësishëm të tij janë: “A Clockwork Orange”, “Barry Lindon”, “Shining”, “Paths of Glory”, “2001: A Space Odyssey”, “Full Metal Jacket” dhe “Eyes Wide Shut”.
322 pes – Vdiq Aristoteli, filozof – lindur (384 pes) në Stagira pranë kufirit me Maqedoninë; i ati ishte mjek i familjes mbretërore të Filipit të Maqedonisë. Edhe Aristoteli shkoi në shkollë për mjekësi dhe më pas u dërgua në Athinë për të studiuar filozofi me Platonin. Kur Platonit vdiq, Aristoteli kishte shpresuar se do të merrte drejtimin e Akademisë dhe kur kjo iu mohua, pasi nuk ishte vendas, u vetëmërgua duke udhëtuar nëpër vendet e Azisë së vogël. Aristoteli u kthye në Maqedoni në vitin 338 pes, dhe u bë mësues i Aleksandrit të Madh. Kur Aleksandri pushtoi Athinën, Aristoteli u kthye në Athinë dhe krijoi një shkollë të tij, të njohur si Liceu. Pas vdekjes së Aleksandrit, Athina ngriti krye kundër sundimit maqedonas, dhe jeta e Aristotelit u bë e pasigurt. Për të shmangur dënimin e mundshëm me vdekje, si përkrahës i Aleksandrit, ai iku në ishullin Eube, ku edhe vdiq.