Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, theksoi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në, duke e cilësuar rajonin si pjesë të pandashme të familjes evropiane.
Në një deklaratë për gazetarët para samitit BE-Ballkani Perëndimor, Kallas shprehu përkushtimin e saj personal për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe vendeve të rajonit.
Ajo theksoi se Ballkani Perëndimor është rajon shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe se është e rëndësishme të shtyhet përpara marrëdhënia me këtë rajon.
Kallas gjithashtu nënvizoi se sot do të diskutohet plani i rritjes dhe se është nënshkruar një marrëveshje për siguri dhe mbrojtje me Shqipërinë, duke theksuar se ka shumë hapësirë për bashkëpunim.
Sa i përket zgjerimit të Bashkimit Evropian, Kallas u shpreh e vendosur që ky proces të ketë progres gjatë mandatit aktual pesëvjeçar. Ajo theksoi se së bashku me Komisionin për zgjerim, dëshirojnë të shohin avancim në procesin e zgjerimit të BE-së gjatë këtij mandati dhe janë të gatshëm të punojnë për këtë.