Deputetët e Komisionit Hetimor për tekstet shkollore, në përbërje të Shemsedin Dreshajt – kryetar, Ardian Kastratit nënkryetar dhe anëtarët Bekim Haxhiu, Vlora Dumoshi dhe Agim Veliu, kanë dorëzuar gjatë ditës së sotme kallëzimin penal kundër ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në Prokurorinë Speciale.
Kallëzimi penal ka të bëjë me gjetjet e raportit të ekspertëve në lidhje me subvencionimin e blerjes së librave për nxënësit e arsimit fillor të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024, raporton Klankosova.tv.
Për këtë rast ka reaguar vetë ministrja Nagavci, e cila aludoi se janë pikërisht interesat e partive që e dërguan kallëzimin penal në Prokurori, ato që janë prekur.
“PDK-LDK-AAK, të bashkuar si gjithnjë, sot paskan dorëzuar kallëzim penal ndaj meje për subvencionimin e nxënësve për tekste dhe materiale shkollore. Shumë e pritshme nga këto subjekte, kur e dimë mirëfilli se cilat grupe interesi kemi prekur”.
“Reagimet nisën që atë ditë kur shkëputëm praktikën 20-vjeçare të blerjeve milionëshe të teksteve shkollore me kontrata njëburimore, të mbushura me hallka dhe mundësi abuzimi. Krijuam një proces transparent të subvencionimit të drejtpërdrejtë, ku çdo formë dhe mundësi abuzimi u eliminua. U përpoqën në çdo mënyrë dhe me çdo mjet, në media dhe në Kuvend, për ta rikthyer sistemin e vjetër, por nuk ia dolën”, u shpreh mes tjerash ministrja e Arsimit.
Ndërkaq, ajo tha se opozita së fundi ka krijuar Komision Hetimor, të cilin tha se e ka përkrahur edhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e madje edhe vetë ajo si ministre e Arsimit, “sepse nuk kemi çfarë të fshehim”.
Por tha se kallëzimi penal është bërë ende pa u miratuar raporti i komisionit hetimor.
“Megjithatë, pa përfunduar punën aty dhe pa miratuar Raportin e Komisionit Hetimor, i janë drejtuar Prokurorisë Speciale me kallëzim penal”.
Ky kallëzim penal, u shpreh ministrja Nagavci, “do të hidhet poshtë, ashtu si edhe i kaluari që u hodh poshtë javën e kaluar”.
Ajo u shpreh se nga librat “duhet të përfitojnë së pari dhe kryesisht nxënësit, jo grupet e interesit”.
Në raportin e ekspertëve të angazhuar në Komisionin Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore, të siguruar nga Klan Kosova, nuk është përjashtuar mundësia se dëmi milionësh i shkaktuar në këtë proces ishte i qëllimshëm.
“Keqplanifikimi i evidentuar në shumën e rreth 6.3 milionë eurove ngre shqetësime serioze mbi procesin e menaxhimit financiar dhe shfrytëzimin e fondeve publike. Ky keqplanifikim, i cili mund të jetë rezultat i mungesës së njohurive profesionale, neglizhencës, keqmenaxhimit, apo ndoshta synimeve të pastra për përfitime materiale”, thuhet ndër të tjera në këtë raport të siguruar nga Klan Kosova.