Në kuadër të grupit parlamentar me SDA e Sanxhakut dhe Lëvizjen e Qytetarëve të Lirë (PSG), deputeti Shaip Kamberi ka dorëzuar në Kuvendin Popullor të Serbisë propozimin për shfuqizimin e ligjit që ratifikon marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Federatës Ruse për themelimin e Qendrës Humanitare Serbo-Ruse në Nish, përcjell KosovaPost.
Pas 13 vitesh funksionimi, sipas Kamberit, nuk ka prova që qendra ka vepruar në interes të qytetarëve të Serbisë apo ka luajtur rol të rëndësishëm në përballimin e fatkeqësive natyrore. Përkundrazi, veprimtaria e saj është karakterizuar nga mungesë transparence, paqartësi rreth financimit dhe dyshime serioze për rol politik dhe të sigurisë, si brenda vendit, ashtu edhe në rajon.
Një tjetër shqetësim i shprehur ka qenë tentativa për t’i dhënë qendrës dhe stafit të saj status diplomatik dhe imunitet, çka nuk përputhet me praktikat standarde të misioneve humanitare.
Sipas Kamberit, hulumtimet e gazetarëve investigativë tregojnë se persona të lidhur me shërbimet ruse të inteligjencës dhe grupe paramilitare në Serbi kanë marrë pjesë në trajnime për nxitjen e trazirave gjatë zgjedhjeve në Moldavi dhe Rumani.
Shfuqizimi i ligjit synon të largojë dyshimet ekzistuese dhe të përshpejtojë rrugën evropiane të Serbisë, pasi qendra ka qenë objekt kritikash në raportet e Komisionit Evropian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Evropian.


























