Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se shqiptarët në Luginën e Preshevës po vazhdojnë të përballen me pushtetin serb, i cili në asnjë moment, sipas tij, nuk e ka ndryshuar politikën ndaj shqiptarëve atje.
Kamberi thotë se në Luginën e Preshevës po ndodh spastrim etnik, e që sipas tij, shkelja e të drejtave të njeriut që po e bënë Serbia është në kundërshtim me kushtin e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për t’u bërë anëtare.
Ai tutje shprehet se mungon trysnia e BE-së, që të rregullojë së pari, atë që quhet autonomi e pakicave.
“Spastrimi etnik ka filluar në vitin 1999. Zbrazja e vendbanimeve në atë kohë që ishin të banuara kryekëput nga shqiptarët. Metoda tjetër e spastrimit është mosnjohja e diplomave, 15 gjenerata kanë përfunduar studimet në Kosovë e atyre nuk iu njihet ende diploma. Dhe, metoda tjetër e spastrimit etnik është pasivizimi i adresave, ku në Medvegjë është arritur qëllimi ngase mbi 4 mijë shqiptarë kanë humbur vendbanimin”, thotë deputeti shqiptar në Parlamentin serb, në Radio Dukagjini.