Kryeministri Kurti rikthen çështjen e të zhdukurve nga serbët gjatë luftës në Kosovë e zotohet se nuk do të ndalë asnjëherë kërkimet për ta. Ai tregoi në Vjenë rastin e kamionit me kufomat e shqiptarëve të hedhur në Danub.
Kamioni me kufoma në Danub, Kurti e tregon në Vjenë rastin e
Danubi që përshkon Vjenën bart edhe historinë tragjike të shqiptarëve të Kosovës që përfunduan në ujërat e tij gjatë luftës nga serbët.
Trupi i një vajze 7-vjeçare u gjet në kamionin e fundosur bashkë me 85 viktima të tjera.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ua rrëfeu këtë ngjarje austriakëve, pikërisht nga Vjena gjatë fjalimit në Akademinë Diplomatike.
Kurti: Ajo u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në fund të lumit. Pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër. Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku i dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë.
Kreu i qeverisë aktuale të Kosovës u zotua për gjetjen e të zhdukurve gjatë luftës për të cilët janë angazhuar edhe qeveritë e mëparshme, por rezultati nuk është ai që premtohej.
Kurti: Ndërsa ne e dimë se ajo nuk do të kthehet më te shtëpia dhe te lulet që ka pikturuar, nuk do t’i shohim kurrë me të, ne do ta tregojmë gjithmonë historinë e saj dhe nuk do të ndalemi kurrë derisa të dihet fati i saj. Dhe ne do ta kujtojmë gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99.
Kryeministri Kurti tha që Kosova asnjëherë nuk do të ndalojë së kërkuari atë vajzë dhe personat e zhdukur gjatë luftës.