Në njërën anë, bashkëpunim dhe optimizëm. Në anën tjetër, paralajmërime për paqëndrueshmëri. Ky dualizëm karakterizon prej kohësh Ballkanin Perëndimor – rajonin ku aspiratat për partneritet dhe përparim ndeshen shpesh me përçarjet dhe mosbesimin historik.
Përfaqësuesit e gjashtë vendeve të tij – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – u ulën më 14 tetor bashkë në një tryezë në Berlin dhe nënshkruan një Plan Veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, si dhe Marrëveshje për Qasje në Arsimin e Lartë në vendet e njëri-tjetrit.
Nikoqiri i takimit, kancelari gjerman, Olaf Scholz, e trumbetoi këtë si përparim të madh.
“Kjo do ta bëjë punën përtej kufijve më pak të komplikuar dhe do t’ju sjellë dukshëm më afër standardeve të BE-së”, tha ai.
Dy ditë më vonë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përçoi tjetër mesazh nga Brukseli:
“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese për shkak të kërcënimeve secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimit të vogël në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Bashkësia ndërkombëtare, prej vitesh, bën përpjekje të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë kaluar nëpër luftëra të përgjakshme në vitet ’90, dhe t’i përafrojë ato me Bashkimin Evropian. Për këtë qëllim ka iniciuar edhe Procesin e Berlinit në vitin 2014, i cili përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo vit, përfaqësuesit e tyre mblidhen në samite, bashkë me ata të vendeve partnere, dhe bëjnë marrëveshje e deklarata.
Deri më tash kanë prodhuar mbi 40 deklarata dhe marrëveshje në fusha të ndryshme – nga tregtia deri te lëvizja e lirë e njerëzve – por një pjesë e madhe e tyre ka mbetur pa u zbatuar.
Marika Djolai, anëtare e Grupit Këshillimor Ballkani në Evropë dhe bashkautore e një studimi për ecurinë 10-vjeçare të Procesit të Berlinit, shpjegon për programin Expose tëRadios Evropa e Lirë se përse ka ngecje në përmbushjen e zotimeve që merren përsipër:
“Janë disa marrëveshje, që janë më pak relevante në një moment të caktuar gjeopolitik, por nganjëherë ka edhe mungesë angazhimi nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor për t’i zbatuar ato. Pra, nganjëherë bëhet fjalë për çështje politike, nganjëherë për çështje ekonomike apo financash, e nganjëherë, thjesht, nisma është shumë komplekse për t’u realizuar shpejt”.
Për Silavana Mojsovskën, nga Instituti i Ekonomisë në Universitetin e Shën Cirilit dhe Metodit në Shkup, zbatimi i marrëveshjeve kërkon përshtatje të politikave kombëtare, e që shpesh nuk bëhet, sepse qeveritë zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe ndjekin prioritete të tjera. Presioni, sipas saj, është po ashtu i pashmangshëm.
“Për shembull, gjatë pandemisë COVID-19, janë krijuar korridoret e gjelbra në Ballkanin Perëndimor për ta bërë më të shpejtë dhe më të lehtë qarkullimin e mallrave thelbësore mes vendeve të rajonit”, kujton ajo.
“Ky ka qenë një model i mirë sesi vendet i kanë zbatuar masat që u janë dashur – edhe pse kjo ka ndodhur për shkak të krizës nga COVID-19. Ndaj, nëse nuk ka presion – qoftë pozitiv, qoftë negativ – disa marrëveshje kanë tendencë të mos zbatohen”, thotë Mojsovska.
Të dyja këto vëzhguese thonë se Procesi i Berlinit është duke shkuar përpara dhe se kjo është një gjë e mirë. Me fjalët e Marika Djolait, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht marrëdhënieve të tensionuara, “ulen në një tryezë tash e dhjetë vjet dhe negociojnë projekte praktike që japin shpresë”.
Por, ndryshe prej tyre, Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike në Prishtinë, ofron një pamje më kritike të gjendjes së Procesit të Berlinit. Sipas tij, ai është në status quo – Qeveria gjermane përpiqet të nxisë pajtimin me ide e politika të reja, por në mesin e vendeve të rajonit ka pak gatishmëri e entuziazëm.
“Mendimi i shtyrë nga Berlini është se, nëse këto vende tregtojnë mes vete – pra kanë shkëmbime më të mëdha tregtare – ato do të kenë zhvillim ekonomik dhe problemet politike do të tejkalohen. Ky është një lloj mendimi që Berlini e ka përdorur edhe me Rusinë më herët, duke thënë se nëse BE-ja dhe Ukraina tregtojnë më shumë me të, duke blerë naftën dhe gazin e saj, atëherë Rusia, në një mënyrë, do të hyjë në orbitën e Perëndimit dhe nuk do të ketë incentiva për të krijuar probleme”, thotë Gërgi.
“Me pushtimin rus të Ukrainës, e kemi parë se kjo nuk qëndron. Pa marrë parasysh marrëdhëniet ekonomike, janë marrëdhëniet politike ato që kanë epërsi ndaj të gjitha të tjerave”, thekson ai.
Si çështjen më problematike në rajon, Gërgi sheh kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se Serbia ka gatishmëri për të nënshkruar marrëveshje, por jo edhe për t’i zbatuar ato.