Shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë raportuar tek Komisioni Evropian një rritje të konsiderueshme të kërkesave të pabazuara për azil të paraqitura nga qytetarët e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024.
Sipas raportit vjetor për vizat, që e përpilon Komisioni Evropian, në shtatë muajt e parë të vitit 2024, janë paraqitur 3905 kërkesa nga qytetarët e Kosovës në shtetet anëtare të BE-së, që paraqet 108 për qind rritje të kërkesave në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Bëhet fjalë për informata të cilat në komision i kanë deponuar shtet anëtare, ndërsa në pranverë të vitit 2025 do të publikohen shënimet e EUROSTAT (Zyra statistikore e BE-së) rreth asaj se çfarë implikime ka liberalizimi i vizave për kosovarët në çështjet e migracionit në zonën Schengen.
Në raportin e publikuar konfirmohet se është formuar një grup punues për shkëmbim të informatave mes shteteve anëtare dhe Kosovës me qëllim të monitorimit të tendencave të migrimit të parregullt dhe azilit.
Komisioni Evropian, megjithatë, konsideron se Kosova në përgjithësi, vazhdon të përmbushë kërkesat për liberalizimin e vizave, por nënvizohet domosodshmëria për përpjekje të mëtejshme.
Nga Kosova mes tjerash pritet që të harmonizojë politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Bëhet fjalë për 16 shtete qytetarët e të cilave gëzojnë lirinë e lëvizjes në Kosovë por jo edhe me BE-në. Harmonizimi nënkupton vendosjen e regjimit të vizave për të gjitha shtetet që iu duhet viza për në BE.
Mungesa e harmonizimit, thuhet në këtë raport, kontribuon në një rrezik të shtuar të migrimit të parregullt drejt BE-së përmes rrugës së Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Evropian rekomandon që në pritje të harmonizimit të plotë, duhet të futet një kontroll më rigoroz i hyrjeve pa viza të shtetasve të vendeve të treta, veçanërisht atyre nga vendet që paraqesin rrezik sigurie ose migrimi të parregullt.
Nga Kosova gjithashtu pritet që të shtysë iniciativat me qëllim të monitorimit të kërkesave të pabazuara për azil, përfshirë këtu rinisjen e fushatave ndërgjegjësuese për të informuar qytetarët rreth rregullave që zbatohen për të udhëtuar në zonën Schengen dhe duke aplikuar kontrolle më të rrepta para nisjeve./rtk