Sot do të mblidhet Qeveria e Kosovës, dhe ndër të tjera pikë e rendit të ditës do të jetë edhe miratimi i masave të reja antiCOVID.
Në fakt këtë e ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë virtuale për media të enjten. Ndër të tjera Vitia shpjegoi se punonjësve në të gjitha institucionet publike dhe private që punojnë me palë, do tu kërkohet certifikata e vaksinimit apo testet që dëshmojnë se nuk janë të infektuar me COVID-19, njofton Klankosova.tv.
“Kjo vlen për aktivitete si qendra tregtare, call center, gastronomia në ambientet e brendshme dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që punojnë me palë.”
Ministri Vitia gjithashtu njoftoi se do të hapen edhe shkollat dhe çerdhet.
“Maksimumi i nxënësve të mbledhur në klasë do të jetë 20. Aktivitetet sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 përqind të kapaciteteve, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve”, ka thënë Vitia.
Kurse lokalet e gastronomisë do të vazhdojnë të punojnë me të njëjtin orar, deri në orën 21:30, por që do të hapen hapësirat brenda lokaleve, por aty do të lejohen vetëm personat me dëshmi të vaksinës apo testeve përkatëse. Kurse lëvizja e qytetarëve është e kufizuar pas orës 22:00, deri në orën 05:00.