Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), përmes një reagimi publik të mërkurën ka kundërshtuar marrëveshjen për burgjet me qira në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës.
Kjo marrëveshje nuk u hodh fare në votim në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, pas polemikave të shumta mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetëve, kryesisht nga Lidhja Demokratike të Kosovës.
Përkundër insistimit të ministres Haxhiu që kjo marrëveshje të kalojë, deputetët e opozitës deklaruan se nuk do ta votojnë pasi sipas tyre, është e kundërligjshme.
Se kjo marrëveshje nuk duhet të votohet vlerëson edhe KMDLNj-ja, e cila për qëndrim ka renditur 15 arsye.
Sipas KMDLNj, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë qenë drejt të informuar për përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë informuar as për veprat që janë dënuar këta të burgosur e as për shtetin nga e kanë prejardhjen. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk janë informuar se asnjë i burgosur nuk është danez apo shtetas danez”, thuhet në komunikatën për media.
Këshilli tutje ka deklaruar se “deputetët nuk janë informuar se këta të burgosur do të transferohen dhunshëm dhe kundër vullnetit të tyre në Kosovë”.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë të qartë se këta të burgosur janë kryesisht nga shtetet afrikane, aziatike dhe arabe dhe të besimit islam. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta kenë të qartë se këta nuk transferohen në Kosovë shkaku se Kosova i trajton mirë (edhe i trajton mirë sipas standardeve kosovare të dënuarit kosovarë) për faktin se përgjegjësinë për trajtimin e tyre e ka shteti danez por se ata dërgohen në Kosovë sepse Kosovën e konsiderojnë si një shtet islamik i afërt me përcaktimin fetar të burgosurve që do të kontrabandohen nga Danimarka në Kosovë”.
























