Deri në gjysmën e pagës, apo mbi 600 euro në muaj, mund të humbin deputetët e Kuvendit të Kosovës, nëse gjatë seancave plenare dhe në mbledhjet e trupave punues të Kuvendit përdorin gjuhë joparlamentare apo dhunë fizike.
Ndëshkimet e tilla parashihen në draftin e ri të Kodit të Sjelljes për deputetët e Kuvendit, të miratuar në muajin prill të këtij viti nga Komisioni për legjislacion, mandate, imunitete, rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.
Miratimin e një Kodi të tillë e vlerësojnë të domosdoshëm disa nga organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit, të tjera dyshojnë se Kodi do të ndikojë në përmirësimin e sjelljes së deputetëve.
Çka parasheh drafti i Kodit?
Në këtë dokument që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, thuhet se Kodi do të adresojë sjelljen e deputetëve në seanca dhe komisione, gjuhën joparlamentare, përdorimin e telefonave, veshjet e zyrtarëve dhe veprimet tjera të ndaluara gjatë ushtrimit të funksionit të tyre.
Sipas Kodit, deputetët duhet të përmbahen nga përdorimi i gjuhës së pahijshme, urrejtëse, fyese ose kërcënuese.
Për të gjitha veprimet joadekuate, sipas Kodit, parashihen dënime me gjobë, varësisht a janë shkelje të rënda apo të lehta.
Shkelje të lehta konsiderohen, pengimi i mbarëvajtjes, pasthirrma, zhurmimi dhe ndërprerja e fjalës, përdorimi i celularit ose i laptopit dhe mosrespektimi i Kodit të veshjes.
Kurse, shkelje të rënda janë, përdorimi i dhunës fizike, përdorimi i fjalëve, frazave ose sinonimeve që poshtërojnë ose cenojnë dinjitetin e tjetrit, shpërdorimi i pozitës për përfitim të interesave personale, nxitja e urrejtjes, jotoleranca, dhuna apo ngacmimi seksual.
Në rast të shkeljes së Kodit të Sjelljes, ndaj deputetëve zbatohen masat ndëshkuese duke filluar nga vërejtja me shkrim, më pas suspendimi nga pjesëmarrja në tri seanca plenare dhe tri mbledhje të komisioneve, e deri te sanksionet financiare që arrijnë në 50 për qind të pagës bazë.
Paga bazë e një deputeti në Kosovë është 1.804 euro.
Për pjesëmarrje në mbledhje të komisioneve dhe grupeve punuese, ata përfitojnë shtesa: 20 për qind të pagës bazë apo mbi 360 euro.
Zyrtarë nga Kuvendi i Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se kryesia e Kuvendit do të përcaktojë se kur do të vendoset në rend dite për shqyrtim projekt-Kodi. Por, data për shqyrtimin e këtij dokumenti ende nuk është caktuar.
Kush i “ndëshkon” deputetët?
Organi kompetent për zbatimin dhe shqiptimin e masave të këtij Kodi është Këshilli për Etikë.
Këshilli përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve katër anëtarë do t’i përkasin shumicës parlamentare, tre opozitës dhe dy anëtarë të tjerë do t’u përkasin komuniteteve jo shumicë.
Sipas Kodit, Këshilli duhet të ketë një kryetar dhe një zëvendëskryetar, si dhe në përbërjen e tij duhet të reflektojë barazia gjinore.
Në raportin e monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2023, Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka vërejtur se është përdorur gjuhë seksiste, mizogjene, raciste dhe homofobe.
Kjo gjuhë është kritikuar edhe në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2023.
Në këtë raport thuhet se “për përveç tensionimit në Kuvend, disa deputetë përdorën gjuhë nxitëse kundër kundërshtarëve politikë, duke përfshirë stereotipizimin dhe gjuhë jo të përshtatshme në aspektin gjinor.
Në një analizë të publikuar në fillim të muajit qershor, të quajtur Kodi i Sjelljes së Deputetëve, thuhet se “përqendrimi në dënimet financiare zhvendos fokusin nga parimet e sjelljes së mirë dhe shërbimit publik në një sistem ndëshkimi thjesht monetar”.
Në këtë analizë, ndërkaq, thuhet se draft-Kodi përmban dispozita që janë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Sipas Rregullores aktuale, llojet e masave në rast të pengimit të zhvillimit të seancës janë: tërheqja dhe ndërprerja e fjalës, vërejtje me paralajmërim për largim nga seanca plenare dhe largimi nga seanca që shoqërohet me sanksione financiare me kompensimin e një seance plenare.
Ndryshe, një kod të tillë, Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar para gjashtë vjetësh, më 2018.
Njëjtë si në Kosovë, edhe në Shqipëri Kodi i Sjelljes zbatohet për të gjitha aspektet e jetës publike të deputetit.
Në vitin 2019 Kodi i Sjelljes është miratuar edhe nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut./REL/