Kolonët izraelitë sulmuan fshatrat, qytezat dhe pronat palestineze në disa zona të Bregut Perëndimor të pushtuar në ditët kur muslimanët festojnë Kurban Bajramin, transmeton Anadolu.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA njoftoi se kolonët e paligjshëm sulmuan banorët palestinezë në qytezën Deir Dibwan në lindje të Ramallahut. Agjencia tha se një grup kolonësh pushtuan një periferi të qytezës, u mblodhën në zonë dhe hodhën gurë mbi banorët, duke rezultuar në tre të plagosur.
Në pjesën veriore të Bregun Perëndimor, WAFA tha se kolonët e paligjshëm sulmuan automjetet palestineze në qytezën Huwara në jug të Nablusit. Në jug, agjencia vuri në dukje se kolonët krijuan një pikë kontrolli të paligjshme në tokën private palestineze në lindje të Hebronit.
Grupet e armatosura të kolonëve ngritën tenda të mëdha vendbanimesh dhe strehimore prej druri dhe kallaji në tokat në qytetin Bani Naim. Ushtria izraelite bastisi zona të ndryshme të Bregut Perëndimor të hënën, përfshirë qytezën Ajjul në veri të Ramallahut, ku shpërthyen konfrontimet midis banorëve dhe forcave izraelite, pa raportuar për viktima.
Ushtria gjithashtu sulmoi qytezën Anata në verilindje të Kudsit si dhe disa lagje në qytetin e Hebronit dhe qytezën Ramin.