KRM “Pastrimi”, ka dënuar ashpër vendimin e Komunës së Prishtinës, e cila ka informuar qytetarët se nga data 1 janar 2025 nuk janë të obliguar të paguajnë faturat për shërbimin e mbeturinave ndaj ndërmarrjes sonë.
Këtë vendim kjo kompani e ka quajtur “vendim i paligjshëm që shkel institucionet dhe dëmton qytetarët”.
KRM “Pastrimi, thotë se ky veprim i Komunës së Prishtinës përbën një shkelje të rëndë ligjore, pasi:
“Nuk ekziston asnjë vendim nga ndonjë organ kompetent gjyqësor, si Gjykata Themelore apo Gjykata Kushtetuese, që do të pezullonte rregulloren për menaxhimin e mbeturinave.
Shpërfill vendimin e Kuvendit të Prishtinës, i cili është institucioni më i lartë vendimmarrës në nivel lokal.
Shkel miratimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila ka dhënë dritën e gjelbër për këtë rregullore.
Krijon konfuzion dhe dëmton funksionimin e shërbimeve publike, duke ndikuar negativisht në cilësinë e menaxhimit të mbeturinave në kryeqytet.
Një veprim i tillë nuk ka për qëllim përmirësimin e shërbimeve, por vetëm krijimin e një situate kaotike për të justifikuar dhënien e një tenderi 16 milionësh një kompanie private, në dëm të ndërmarrjes publike dhe interesit të qytetarëve”, thuhet tutje në reagim.
Më tej thonë se qytetarët duhet të vazhdojnë pagesat ndaj KRM “Pastrimi”
“Duke qenë se ky vendim nuk ka asnjë bazë ligjore dhe përbën një tejkalim të kompetencave nga Komuna e Prishtinës, ftojmë të gjithë qytetarët që:
Të mos bien pre e këtij manipulimi dhe të vazhdojnë pagesat e tyre ndaj KRM “Pastrimi”, siç është përcaktuar në rregulloren e miratuar ligjërisht.
Të kërkojnë llogari nga institucionet përgjegjëse, duke mos lejuar që një shërbim i domosdoshëm si menaxhimi i mbeturinave të keqpërdoret për interesa të caktuara.
Të jenë të vetëdijshëm se çdo vendim për ndryshim të pagesës së mbeturinave duhet të kalojë përmes institucioneve ligjore përkatëse, dhe jo përmes komunikimeve të paligjshme e të pavlefshme.
KRM “Pastrimi” sh.a. do të vazhdojë të ofrojë shërbimin e mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave për qytetarët e Prishtinës, duke respektuar ligjet dhe vendimet institucionale. Ndërkohë, kërkojmë nga Komuna e Prishtinës që të tërheqë menjëherë këtë njoftim të jashtëligjshëm, dhe nga organet kompetente që të ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar shkelje të tilla në të ardhmen”, thuhet në fund./Telegrafi