Kryetari Konjufca ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, me në krye senatoren e Belgjikës, Anne Lambelin, transmeton KosovaPost.
Kuvendi i Kosovës njofton se në këtë takim u diskutua rreth aspektit kulturor dhe vleror, të cilin vendi ynë e ndan së bashku me Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë dhe vendet anëtare.
Në njoftim thuhet se Konjufca ka thënë se është e rëndësishme të rrisim gjithnjë e më shumë shkallën e bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe APF-së, e në këtë drejtim ai shtoi se institucionet e vendit janë të gatshme të angazhohen për më shumë shtrirje të gjuhës dhe kulturës frënge, për të mundësuar sa më shumë mësimin dhe studimin e tyre në vendin tonë, duke konsideruar trashëgiminë e pasur dhe kontributet që ato ofrojnë.
Mysafirët e falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen dhe u shprehën të kënaqur që gjenden në Kosovë e në këtë mënyrë bëhet një hap më tutje në drejtim të bashkëpunimit të ngushtë, shkëmbimit kulturor dhe gjuhësor.
Kryekuvendari Konjufca theksoi faktin se përmes Kuvendit të Kosovës vendi ynë është pjesë e APF-së, e kjo tregon edhe se lidhjet e Kosovës me vendet frankofone janë evidente dhe shumë miqësore. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo është mundësi për angazhim diplomatik dhe mbrojtje të vlerave të përbashkëta.
Pas takimit, kryetari Konjufca së bashku me mysafirët morën pjesë në sesionin e 36-të Asamblesë Rajonale të APF-së që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe që është i pari i mbajtur në Kosovë.
“Republika e Kosovës e vlerëson dhe mburret me praninë dhe angazhimin e saj aktiv në APF, një forum ky politik që në thelb të misionit të tij e ka promovomin e bashkëpunimit mes vendeve frankofone, forcimin e kapaciteteve të parlamentarëve dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në të gjithë botën frankofone dhe përtej kësaj”, tha kryetari Konjufca në fjalën e tij hapëse të këtij sesioni të Asamblesë Rajonale të APF-së.
Ai tha se kultura e pasur frankofone ka qenë dhe mbetet inspirim për mbarë botën, me ndikimin e saj shumëdimensional, përfshirë edhe ndikimin e saj te studiues dhe intelektualë Rilindas shqiptarë, e më pas me ndikimin që ata patën në përhapjen e kulturës dhe gjuhës frënge midis brezave të rinj shqiptarë.
Konjufca shfrytëzoi nga rasti që të falënderojë të pranishmit që janë pjesë e delegacionit të APF-së, për mbështetjen që i kanë dhënë amandamentit të propozuar nga delegacioni i Kosovës vitin e kaluar, me anë të të cilit dënohej sulmi terrorist në veriun e Kosovës, që ndodhi në shtator të vitit të kaluar, që synonte destabilizimin, kërcënimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë.
“Dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të përzemërt juve si Asamble Rajonale e APF-së, për përpjekjet dhe angazhimin e palëkundur për promovimin e vlerave tona të përbashkëta dhe nxitjen e bashkëpunimit kulturor midis shteteve anëtare të frankofonisë”, ka thënë në fund Konjufca, duke iu uruar pjesëmarrësve punime të mbara në këtë sesion.