Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka thënë se zgjedhjet për Parlamentin Evropian janë më të rëndësishme se kurrë, në rrethanat politike, gjeopolitike dhe të sigurisë në të cilat ndodhet Evropa sot.
Ai tha se këto zgjedhje do të mund të determinojnë të ardhmen e BE-së mbase edhe në dekadat në vijim.
“Në këto zgjedhje nuk do të zgjedhen vetëm përfaqësuesit e qytetarëve të shteteve anëtare në Parlament, por do të dëshmohet edhe vendosmëria e Evropës në mbrojtjen e vlerave të saj fundamemtale të cilat sot po i kërcënohen drejtpërdrejtë nga pushtimi rus në Ukrainë. Një Bashkim Evropian unik në mbrojtjen e vlerave të lirisë, barazisë, demokracisë dhe dinjitetit të popujve dhe shteteve do të jetë arma më e fortë kundër Rusisë pushtuese dhe ideologjive fashiste”, ka shkruar Konjufca.
Tutje ai ka thënë se këto zgjedhje do të kenë ndikim edhe mbi rajonin tonë i cili të vetmen rrugë të sigurtë drejt paqes dhe prosperitetit e ka rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Shumë procese në Ballkanin Perendimor do të varen nga qasja, qartësia dhe gatishmërisë e BE-së për t’i përkrahur vlerat e saj të lirisë e demokracisë në rajonin tonë. Një qasje e barabartë dhe e drejtë ndaj të gjithëve do të jetë esenciale në europianizimin përfundimtar të shteteve tona”, ka shkruar kryeparlamentari.
Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve që janë shtetas me të drejtë vote në vendet e BE-së që të dalin e të votojnë në këto zgjedhje për partitë proeuropiane, por në veçanti t’i mbështesin kandidatët shqiptarë që sot garojnë nën siglen e shumë partive evropiane.
“Kandidatë si Muharrem Salihu, Adnan Dibrani e shumë shqiptarë të tjerë duhet ta kenë mbështetjen e mërgatës sonë, si përfaqësues të ardhshëm jo vetëm të interesave të diasporës sonë, por edhe të kombit dhe shteteve tona. Duke i votuar këta kandidatë, ne do t’i çojmë në Parlamentin Evropian përfaqësues që do t’i mbrojnë vetë parimet dhe interesat e Evropës, sepse proeuropianizmi i shqiptarëve është në natyrën tonë kombëtare”, ka përfunduar Glauk Konjufca.