Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka mbajtur një takim me homologen e tij nga Maqedonia e Veriut, Slavjanka Petrovska, me të cilën kanë diskutuar për bashkëpunimin në trajnime, ushtrime të përbashkëta ndërmjet ushtrive të të dyja vendeve, transmeton Kosova Post.
Siç ka njoftuar Mehaj në rrjetet sociale, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është e gatshme që ushtrisë maqedonase t’i ofrojë trajnime në fushën e kërkim-shpëtimit.
“Aktualisht, FSK-ja është e gatshme që ushtrisë maqedonase t’i ofrojë trajnime në fushën e kërkim-shpëtimit, për të cilën ushtarët tanë janë jashtëzakonisht të përgatitur, ndërsa pala maqedonase do të shkëmbejë me ne përvojën e reformimit të brendshëm përgjatë rrugëtimit në procesin për anëtarësim në programin e Partneritetit për Paqe, në të cilin synojmë dhe ne të jemi anëtar”, ka shkruar Mehaj në rrjetet sociale.
Ministri kosovar ka bërë të ditur gjithashtu se me ministren Petrovska janë dakorduar që të bashkëpunojnë edhe në integrimin e grave në ushtri, shkëmbimin e praktikave më të suksesshme, shkollimin e oficerëve dhe trajnimin e tyre.
Mehaj në takimin me homologen maqedonase Petrovska ka thënë se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes është hap i rëndësishëm për paqen e qëndrueshme./aa