Në kuadër të vizitës në Kroaci që po zhvillon delegacioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Hekuran Murati, nënshkroi marrëveshjen për sigurime shoqërore me ministrin e Punës dhe Pensioneve të Kroacisë, Marin Piletic, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit të MFTP-së, përmes marrëveshjes për sigurime shoqërore, qytetarëve të të dy shteteve, do t’u mundësohet realizimi të drejtave siç janë pensionet e moshës kontributpaguese, pensionet familjare, pensionet e invalidëve të punës dhe e drejta për pension nga shtylla e dytë, nëse kanë punuar e kontribuar në shtetet përkatëse.
“Me këtë marrëveshje, qytetarëve kosovarë të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Republikën e Kroacisë, do t’u mundësohet, që pas arritjes të moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë. Gjithashtu, qytetarëve kosovarë, do të ju mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve (stazhit të punës) në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur që të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë apo në Kroaci”, thuhet në njoftim.
Marrëveshja do të hyjë në fuqi pas ratifikimit në parlamentet e dy vendeve e ku përveç lehtësimin e barrës së qytetarëve, marrëveshje si kjo forcojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
“Vlen të theksohet se vetëm dy ditë më parë u iniciua marrëveshja për sigurime shoqërore me Slloveninë, ndërsa marrëveshjet me Zvicrën, Belgjikën, Shqipërinë dhe Holandën janë duke u zbatuar tashmë. Faza e negociatave të marrëveshjes për sigurime shoqërore me Austrinë dhe Turqinë ka përfunduar, ndërsa negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi pritet të fillojnë së shpejti”, thuhet në njoftim.