Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur një mbledhje e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilën është diskutuar për planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë në territorin e Kosovës.
Sipas komunikatës për media të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është folur gjithashtu për sulmin me granata dore ndaj zyrës së Postës në Zveçan më 1 prill, si dhe për arrestimin e 5 prillit në Gjakovë të katër ‘pelegrinëve’ serbë, ndër të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë dhe tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.
“U raportua dhe diskutua për gjendjen e përgjithshme të sigurisë me theks te planet destabilizuese dhe ndërhyrjet kriminale të Serbisë. Më 1 prill pas mesnate u sulmua me dy granata dore zyra e Postës së Kosovës në Zveçan, nga të cilat njëra shpërtheu. Zyra e Postës në Zveçan është riparuar plotësisht dhe tani vijon normalisht dhënia e shërbimeve publike atje. Kur kësaj i shtojmë edhe arrestimin e mbrëmshëm të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë – nga të cilët njëri ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë, dhe krejt çfarë u është konfiskuar atyre – kërkohet që të gjitha institucionet dhe mekanizmat e shtetit ta mbajnë lart vëmendjen dhe gatishmërinë.
Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet që nxis tensione ndëretnikë e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë. Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë”, thuhet në komunikatë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Lidhur me këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe për synimin e Serbisë për të destabilizuar vendin, kanë folur ekspertët e çështjeve të sigurisë. Ata kanë sugjeruar disa veprime që duhet të ndërmerren nga mekanizmat e sigurisë.
Gecaj: Institucionet duhet të jenë të gatshëm për çdo skenar
Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka theksuar se sulmi ndaj Postës së Kosovës në Zveçan dhe arrestimet oficerëve serbë indikacione serioze për rrezikun e vazhdueshëm nga strukturat destabilizuese të drejtuara nga Beogradi.
“Situata e sigurisë në veri të Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm, dhe incidentet e fundit, përfshirë sulmin ndaj Postës së Kosovës në Zveçan dhe arrestimin e oficerëve serbë në Gjakovë, janë indikacione serioze për rrezikun e vazhdueshëm nga strukturat destabilizuese të drejtuara nga Beogradi. Pretendimi i Qeverisë së Kosovës se regjimi i Vuçiqit po eksporton krizën në Kosovë është i mbështetur në një seri zhvillimesh që kanë treguar qartë një përpjekje sistematike për të sfiduar sovranitetin dhe stabilitetin e vendit”, ka thënë ai.
Po ashtu, Gecaj ka përmendur disa nga pasojat e mundshme nga Veprimet destabilizuese të Serbisë.
Pasojat e mundshme për stabilitetin e rajonit
“Veprimet destabilizuese të Serbisë mund të kenë pasoja të shumta:
Rritje të tensioneve ndëretnike, duke nxitur incidente të dhunshme në zonat e ndjeshme si veriu i Kosovës.
Minim të stabilitetit rajonal, pasi një krizë në Kosovë mund të përhapet në vendet fqinje si Bosnja dhe Mali i Zi, ku Serbia ka interesa të ngjashme.
Testim të qëndrueshmërisë së mekanizmave ndërkombëtarë, si NATO dhe BE, duke sfiduar praninë e tyre dhe efektivitetin në ruajtjen e paqes.
Krijim të një precedentit për ndërhyrje hibride, ku Serbia përdor aktorë informalë dhe paramilitarë për të destabilizuar situatën pa një konflikt të hapur”, ka theksuar Gecaj.
Gjithashtu, eksperti i sigurisë ka sugjeruar disa veprime të cilat do të duhet të ndërrmarën nga institucionet e sigurisë në vend./bs